Penalltia e akorduar ditën e sotme në Partizani-Vllaznia vendosi ndeshjen 0-1 në favor të shkodranëve. Një moment i dyshimtë që ka krijuar shumë polemika pas sfidës pasi me këtë humbje Partizani ka humbur titullin kampion.
I ftuar në emisionin “Skaner”, ish gjyqtari dhe tani në rolin e moviolistit, Bujar Pregja analizoi këtë rast duke treguar nëse ishte penallti apo jo.
Momenti i penalltisë? “Arbitri vetë duhet të ishte më i vendosur pasi ka pamjen e qartë dhe duhet të merrte vendimin. Asistenti dhe gjyqtari i linjës në pozicionin ku janë e kanë të vështirë për të vendosur për këtë rast.
Nga pamjet që ne kemi, topi ka prekur dorën e mbrojtësit të Partizanit, por nga pamjet unë nuk e shikoj nëse e ka lëvizur dorën apo jo. Brryli duket paksa i hapur nga këto pamje. Sipas mendimit tim, nëse do të isha unë arbitër nuk do ta kisha akorduar penallti”, u shpreh Pregja.