Spanja është jashtë Kupës së Botë! Pas 120 minutave lojë, ishin penalltitë ato që vendosën se kush do të kalonte në çerekfinale dhe fati i ka buzëqeshur mikpritësve. Ishte një ndeshje ku rusët u mbrojtën për 120 minuta dhe u shpërblyen në fund.
Spanja e nisi ndeshjen me gol që në minutën e 12’ kur Sergio Ramos provokon Ignashevich, lojtari më i vjetër që bën një autogol në Kupën e Botës (38 vjeç), të shtyjë topin në rrjetën e tij. dukej sikur Spanja do ta kishte të lehtë me golin e shënuar por ndodhi krejt e kundërta.
Rusët filluan të luanin mirë dhe të krijonin mundësi shënimi ndaj një Spanje të turbullt në mendime dhe veprime.
Në minutën e 41’ vjen goli i barazimit nga pika e bardhë e penalltisë pas topit të prekur me dorë nga Pique brenda zonës.
Pas pushimit Spanja ka thuajse 80% të mbajtjes së topit por vuan të krijojë hapësira ndaj Rusisë që është rreshtuar e tëra në prapavijë.
Mundësia e parë për shënim vjen nga Iniesta i futur në mesin e pjesës së dytë. Dominimi i Spanjës vazhdoi edhe pas 90 minutave të rregullta, në kohën shtesë.
Madje iberikët kishin disa mundësi të mira por muri rus qëndroi i fortë deri në fund dhe fatin e ndeshjes e kanë vendosur penalltitë, për të parën herë në këtë turne. Dhe fatin në penallti e kanë pasur rusët.