Java e ardhshme, do të jetë më e rëndësishmja për Enea Jorgjin, pasi mund të përcaktojë të ardhmen e tij në arenën ndërkombëtare. Pas sfidës që ka në mesjavë në UEFA Youth League, ku do të drejtojë ndeshjen mes Interit dhe Barcelonës, gjyqtarit 35-vjeçar do t’i mbetet të mësojë përfundimisht edhe statusin që do të ketë në kategoritë ndërkombëtare.

Aktualisht, Jorgji është një gjyqtar i kategorisë së dytë UEFA, që i ka dhënë atij mundësinë që të drejtojë sfida në fazën në grupe të Ligës së Europës. Në këtë edicion, ai drejtoi dy të tilla, ndeshjet Alkmar-Astana 6-0 dhe Beshiktash-Slovan Bratislava 2-1, me këtë të fundit që nuk kaloi pa polemika për disa vendime të tij.

Por bilbili shqiptar pretendon që të ngjitet në kategorinë e parë të gjyqtarëve, atë që i afrohet më shumë elitës dhe që garanton pjesëmarrjen në ndeshje më të rëndësishme e në turne më prestigjioz si Liga e Kampioneve. Duke llogaritur se ai është një prej emrave që po trajnohet me prioritet nga UEFA edhe për sistemin VAR, shihet si kandidat potencial edhe për të ndryshuar nivelin e tij në arenën ndërkombëtare.

UEFA zakonisht bën ndryshimet në qershor, por VIP Sport ka mësuar se Komiteti i Gjyqtarëve do të mblidhet pas dyjavësh për të bërë disa lëvizje në listat aktuale, nga Elita deri te kategoria e tretë, për shkak të largimit për çështje moshe të disa gjyqtarëve ndërkombëtarë e afrimit të tjerëve, siç ndodh me listat e FIFA-s.

Ndaj këtë javë Jorgji do të jetë nën vëzhgim, ashtu si disa emra të tjerë nga vende europiane, të cilët rivalizojnë për një pozicion të tillë. Nëse arrin të bëjë hapin para, për gjyqtarin shqiptar do të hapeshin dyert e ndeshjeve shumë më prestigjioze në arenën ndërkombëtare. /vipsport/