Në karrierën e tij 20 vjeçare si futbollist (ka luajtur në portë) ka luajtur në Maqedoni, Serbi, Mal të Zi dhe Greqi, me disa ekipe të ndryshme.

Po ashtu, tashmë ka edhe një karrierë 20 vjeçare si trajner. Duke nisur që Rabotniçki në Maqedoni, për të vazhduar me Pobedën e më pas për gjashtë vite Kombëtaren U21 të këtij vendi dhe dy të tjera kombëtaren e madhe të Maqedonisë, ndërkohë që para se të vinte tek Vllaznia ka drejtuar për disa muaj edhe Nea Salamis në Qipro.

Tashmë është në Shkodër dhe gjëja kryesore që i bën përshtypje (në aspektin sportiv) është padyshim tifozëria e zjarrtë e kësaj skuadre. Ai e ndesh kudo këtë gjë, në çdo hap që hedh në këtë qytet sepse njerëzit janë të interesuar për atë çfarë po ndodh tek Vllaznia.

Pikërisht në lidhje me këtë, Jonuz e vlerëson maksimalisht tifozërinë e Vllaznisë teksa për të do të thoshte: “Kam 40 vjet që jam pranë futbollit, 20 si sportist dhe 20 si trajner. E them me plot gojë se tifozë si këta të Vllaznisë nuk kam parë asnjëherë më parë. Janë shumë të zjarrtë, jetojnë me skuadrën e tyre dhe prandaj i vlerësoj maksimalisht.

Vetëm në Prilep të Maqedonisë, tifozët e Pobedës ndoshta janë të ngjashëm me këta të Vllaznisë, por ato janë më të paktë në numër, prandaj tifozët kuqeblu mbesin të veçantë për mua”.

Por trajneri Jonuz përveçse i vlerëson, ka edhe një këshillë për ta: “Tifozët i kemi të zjarrtë por nuk duhet të bien pre e provokimeve siç ndodhi në ndeshjen ndaj Tiranës. Nuk duhet të hedhin më në fushë shishe uji apo objekte të tjera, sepse ajo që e pëson është skuadra e tyre e zemrës.

Prandaj u bëj thirrje që ndaj Partizanit e në vazhdim t’i kemi sa më të shumtë në numër, për t’i mbështetur këta futbollistë dhe të gjithë sëbashku në fund pastaj të gëzojmë”.
© shkodrasport.com