Trajneri i Vllaznisë Mirsad Jonuz në prononcimin e tij të dhënë mbrëmë në “Sport Arena” në TV Rozafa për merkaton e Vllaznisë, ka shpjeguar edhe procedurën që është ndjekur për të gjetur lojtarët e duhur.

“Nuk mund të pretendosh të sjellësh lojtarë të mirë nga jashtë kur ke një buxhet të limituar për blerjet. Një rrogë prej 1500 apo 2000 eurosh në muaj për këto lojtarë në futbollin e sotëm është shumë pak. Megjithatë jemi munduar të gjejmë lojtarët e duhur dhe mendoj se Vllaznia aktuale është shumë më e mirë sesa ajo që ishte në fillim të sezonit”- ka deklaruar Jonuz.

Por ndërkohë vetë trajneri është shprehur se merkatoja e kuqebluve ende nuk është mbyllur dhe për këtë arsye, ka shprehur edhe një dëshirë të tijën.

“Dëshira ime është që të arrijmë të marrim Hebajn. Ne e duam por janë disa kushte që nuk përputhen. Për të do të ishte mirë që të luante këto gjashtë muaj e të kapte formën e duhur dhe besoj se edhe për të paratë nuk duhet të jenë prioritet në këtë periudhë.

Nëse Hebaj nuk vlen, atëherë na duhet të gjejmë ndonjë lojtar tjetër, por e përsëris, dëshira ime është ta kem Hebajn në skuadër të paktën për gjysmën e dytë të këtij sezoni”- ka deklaruar trajneri i Vllaznisë.
© shkodrasport.com