Ka vetëm pak muaj në Shkodër dhe Fjoart Jonuzi ka arritur të bindë edhe stafin teknik teksa tashmë është edhe titullar në formacion. Mesfushori kukësian ka dalë para gazetarëve pikërisht në pragndeshjen me Laçin, skuadër me të cilën ai ka luajtur më parë dhe ndonëse e vlerëson këtë skuadër, beson se Vllaznia mund ta fitojë këtë ndeshje. ja si i është përgjigjur Jonuzi pyetjeve të gazetarëve:
– Jonuzi riktheheni në Laç tashmë si kundërshtar. Cila është situata në kampin shkodran para kësaj ndeshje?
Kam kaluar në Laç dy vite e gjysëm të mrekullueshme dhe i jam mirënjohës kësaj skuadre për periudhën që kam qenë aty. Tani jam tek Vllaznia dhe e vlerësojmë maksimalisht këtë kundërshtar i cili ka cilësi në rradhët e tij dhe ka vite që është pjesmarrës në Kupat e Europës. Por ne jemi Vllaznia. Kemi besim tek grupi, tani nuk ka pse të kemi presion. Do të shkojmë në Laç thjesht me idenë për të bërë lojën tonë dhe besoj se do të marrim një rezultat pozitiv.
– Nga java në javë keni fituar besimin e trajnerit dhe tashmë jeni pjesë e formacionit. I kënaqur me atë çfarë po jepni për Vllazninë?
Normalisht që jam i kënaqur. Çdo futbollist do kohën e vet që të ambjentohet me grupin ndërkohë që unë jam bashkuar i fundit me grupin. Më bëhet qejfi që kam filluar të krijoj besim tek stafi dhe tek trajneri dhe shpresoj t’ia shpërblej më mirë.
-Një emocion më shumë kjo për ju në këtë përballje me Laçin?
Normalisht që kam emocione sepse kur je një -ish, emocionet janë të pranishme, por tani jam i fokusuar tek ekipi im dhe shpresoj të marrim një rezultat pozitiv.
– Duke qenë se keni luajtur në Laç dhe e njihni ambjentin dhe mënyrën si luan kjo skuadër, çfarë duhet të ketë në mendje Vllaznia për ta përgatitur si duhet këtë ndeshje?
Laçi është një ekip që karakteristikë të tij kryesore ka lojën agresive. Ne duhet të shkojmë atje me qetësi, normalisht që duhet t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë, por duhet të ruajmë edhe qetësinë sepse nuk e kemi aq shumë atë presionin e pikëve, kështu që jemi në pozita më komode.
-Po bëni disa muaj në Shkodër, jeni i kënaqur me ambjentin që keni gjetur dhe mënyrën si kanë shkuar gjërat për ju?
Jam shumë i kënaqur që jam pjesë e kësaj skuadre. Vllaznia ka një ndër tifozëritë më të mira në Shqipëri dhe atmosfera shihet kudo nëpër qytet ku është një ambjent shumë miqësor. Normalisht edhe kur rezultatet janë të mira, edhe të respektojnë dhe ne shpresojmë të vazhdojmë kështu sepse na ndihmojnë shumë edhe për ecurinë e ekipit.
-Në janar do të rishikohet kontrata juaj. Çfarë prisni?
Do shohim si do e vlerësojë stafi teknik, nëse janë të kënaqur me mua apo jo. Normalisht që dëshira është të vazhdoj të luaj për Vllazninë.