-Shumë pak tifozë në mbështetje të Vllaznisë. Pavarësisht se ishte e shtunë dhe moti ishte me diell, në stadium ishin vetëm 400 tifozë.
– Tabela elektronike në “Loro Boriçi” nuk është ndezur për asnjë minutë dje.
– Bruno Dita i dorëzoi shiritin e kapitenit Bajram Jashanicës. Jo vetëm se është ndër më të vjetrit në skuadër, por edhe për ta inkurajuar rikthimin në fushë pas 740 ditësh.
– Mirsad Jonuzin nuk e mbajnë nervat, harron “Fair Play”-in. I ka kërkuar Zhuniorit që të vazhdonte lojën dhe jo ta nxirrte topin në rivënie anësore për t’i ardhur në ndihmë një prej lojtarëve miq të dëmtuar në mesin e fushës.
– Trajneri maqedonas nuk u ul për asnjë sekondë dhe nuk reshti së foluri, aq sa në fund të ndeshjes ishte ngjirur. – Jonuz u ndëshkua me të verdhë dje dhe replikat i vazhdoi edhe në pushim.
– Dajan Shehi futet në fushë pa asnjë minutë nxehmje, prej dëmtimit të Behar Ramadanit.
– Skënderbeu shënoi me një aksion model në shtesë dhe tifozët shkodranë dëshmuan qytetari, duke mos kursyer as duartrokitjet, edhe pse Vllaznia e tyre u mund.