Enea Jorgji ishte arbitri ndërkombëtar shqiptar, që ishte caktuar nga UEFA të drejtonte një ndeshje të raundit të dytë kualifikues. Elbasanasi vendosi drejtësi në sfidën Ararat-Armenia kundër luksenburgasve të Fola. Kjo sfidë ka rezultuar shumë e komplikuar dhe e vështirë për arbitrin e Superiores.
Në minutën e 43-të, kur shifrat ishin 1-1, Jorgji ndëshkoi me kartonin e dytë të verdhë Kristian Zhunior, duke e lënë Ararat me një lojtar më pak. Më pas në minutën e 56-të Jorgji akordon një penallti në favor të Fola, e cila shndërrohet në gol nga Bensi.
Miqtë nga Luksenburgu gjejnë golin e tretë në minutën e 81-të dhe u krijua ideja se gjithçka përfundoi. Por jo sepse ndeshja u tensionua dhe Jorgji në minutën e parë shtesë akordoi penallti për Ararat dhe karton të kuq për lojtarin e Fola, Pimentel (i dyti i verdhë), duke barazpeshuar numrin e lojtarëve në fushë.
Nuk mjaftoi me aq sepse Fola shkakton sërish penallti, që shndërrohet në gol dhe barazon shifrat në 3-3, falë edhe Jorgjit, që akordoi dy penallti brenda tre minutash. Në shtesë skuadra armene gjeti golin e katërt dhe vulosi fitoren, pas një ndeshje tërësisht të çmendur dhe të vështirë për Jorgjin. Mbetet të shihet sesi do të vlerësohet gjykimi i tij nga UEFA. /vipsport/