Mirel Josa ka qenë i ftuar në emisionin Euro Mania, teksa ka folur për Europianin që starton mbrëmjen e sotme. Ish-tekniku i Kukësit ka bërë një analizë të kompeticionit, ndërsa shtoi se mungesa e vaksinimit te lojtarët do të jetë një problem. Josa mendon se duhej të ishte bërë më parë vaksina, madje edhe në Shqipëri duhej të ishte vepruar.
“Fakti që Europiani luhet në disa vende është diçka pozitive. Skuadrat nuk luajnë vetëm, në një fushë. E kemi parë Europianin të luhet në dy vende, por tani do të jetë ndryse, pasi edhe skuadrat duhet të ambientohen shpejt edhe me kushtet atmosferike.
Ambientimi me kushtet atmosferike, që është kryesorja në futboll, 2-3 ditë është normale për një skuadër dhe janë gjëra që mund të ndikojnë. Problemi kryesor këtu do jetë raportet që do kenë me pandeminë. Po shikojmë një Spanjë, ku pandemia ka qenë shumë intensive. Mund të themi që kanë probleme që në ndeshjet e para.
Them se Itali është një skuadër që ka pasur një ecuri të mirë, por u godit nga dy mesfushorë, Sensi dhe Pelegrini, kanë qenë dy lojtarët kryesorë që përdorte Mançini.
Skuadra përkujdesjen do e kenë në lidhje me virusin. Problemi i vaksinimit është një tjetër problem. Edhe këtu në Shqipëri duhej të bëhej më parë kjo, për stafet edhe sportistët. Kontaktet mes njëri-tjetrit janë të shumta. Mendoj se në Europian janë shumë të kujdesshëm në këtë drejtim.
Nuk duhet të heqim dorë nga surprizat që mund të ndodhin. E kemi parë edhe në vitet e kaluara, kanë qenë të shumta surprizat, sidomos në Europian. Franca ka shumë lojtarë fitues dhe janë padyshim favoritët. Benzema është një sulmues shumë i mirë. Mund të them që Franca ka disa probleme në qendër të mbrojtjes. Mendi nuk ka luajtur shumë kohët e fundit. Megjithatë kanë lojtarë të tjerë që mund t’i zëvendësojnë. Kanë skuadër të re në moshë.
Surprizat? Te Belgjika duhet të shikojmë mënyrën se si luan tani. Të shikojmë ndryshimet e Belgjikës së kaluar. Unë them se Belgjika ëhstë një skuadër shumë e mirë. Ka një lojtar cilësor si De Bryjne.
Faktin që Lëv ka thënë se do largohet nga Gjermania, nuk e shikoj si diçka pozitive. Te Gjermania nuk kam ndonjë shpresë të madhe, sepse ka ndryshuar stil loje”, u shpreh Josa. /VipSport/