Mirel Josa duket se ka bërë mrekullinë e radhës në karrierën e tij, trajneri mori drejtimin e Laçit që ishte në krizë rezultatesh dhe tashmë e ka kthyer në grupin e pretendentëve për titull. Por në “Sport Neës Plus” ai nuk e ka komentuar këtë si një goditje të duhur të kurbinasve me afrimin e tij.

“Bingo e Laçit me emërimin tim? Nuk mund ta quajmë bingo, mund ta merrte edhe njeri tjetër skuadrën e bënte këtë ecuri. Unë në përgjithësi e mora me optimizëm atë punë se duke pasur parasysh përbërjen e skuadrës, e kisha ndjekur edhe në Kupat e Europës, kishte bërë mirë.

Mendoj se kishte ngërç dhe mund të them që jam i kënaqur me njerëzit që bashkëpunojnë dhe përveç atyre që përbëjnë anën drejtuese, janë edhe lojtarë të cilët i përgjigjen kërkesave të mia dhe të klubit.

Titulli? Kur merr një skuadër e cila është në ato pozita që ishte kur shkova unë të drejtoja Laçin, nuk ishte në pozita të mira. Futbolli ka shumë të papritura dhe unë iu shmanga atyre dhe punova me ngritjen e anës psikologjike të lojtarëve.

Ana fizike ishte, por ne e marrim me freskimin e skuadrës, me mënyrën se si komunikon, futen të gjithë faktorët bashkë për të cilat skuadra m’u përgjigj. Drejtuesit kishin komunikim të mirë me lojtarët, marrëveshje të mira me to. Pastaj sa i përket mënyrës si funksionon kjo skuadër, jam i kënaqur”, tha Josa në fjalët e tij./newsport/