Mirel Josa mendon se shembulli më i mirë i Vllaznisë para një ndeshjeje si ajo ndaj Tiranës është loja që skuadra bëri në Kukës. Trajneri kuqeblu, dje në një intervistë enkas për “Panorama Sport”, ka folur për situatën në skuadër në prag të takimit me bardheblutë, që luhet të dielën në orën 13:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Ai komentoi edhe ndryshimin e kalendarit, e po ashtu të fushës, duke zbuluar se ka qenë vetë ai që ka kërkuar të luhet në kryeqytet.
Profesor, fillimisht Vllaznia-Tirana u planifikua për të shtunën, por më pas u shty për të dielën, ndërsa vetëm dje keni pasur në stërvitje tre lojtarët e grumbulluar me Kombëtaren si Gurishta, Hakaj dhe Marku. Kjo situatë ju ka prishur disi planet për përgatitjen e ndeshjes?
Shtyrja e ndeshjes me Tiranën me 24 orë më pas ishte pozitive për ne në këtë situatë. Sigurisht, nuk më prish punë fakti që erdhën vetëm dje ata që ishin të grumbulluar me Kombëtaren, sepse çdo lojtar pret shansin e tij për t’u provuar në këtë nivel. Ishte një ndeshje miqësore, që e dinë ata në Kombëtare se përse iu vlejti, ndërsa për mua nuk është aspak problem pse u bashkuan me vonesë tre lojtarët.
Vini pas një fitoreje në Kukës, çfarë ka ndryshuar te Vllaznia?
Unë e shikoj situatën njësoj. Jam munduar që edhe me lojtarët të punojmë për ndeshjen e radhës me Tiranën me pozitivitetin që kemi pasur zakonisht. E konsiderova fitoren në Kukës më tepër për të punuar të qetë për javën e ardhshme. Puna është bërë normalisht dhe në skuadër ajo fitore ka ndikuar pikërisht në këtë aspekt dhe anën psikologjike. Jemi përgatitur njësoj si çdo herë tjetër.
Vllaznia-Tirana duhej të luhej në Shkodër, por kalendari u ndryshua dhe do ta zhvilloni në “Selman Stërmasi”. Ishit dakord me këtë?
Së pari, ndeshjen për ta luajtur në Tiranë e kam kërkuar unë si trajner. Mund të kishim zgjidhje për ta bërë në një fushë tjetër neutrale këtë takim, por menduam që më mirë edhe këtë herë të luanim në “Selman Stërmasi”, e më pas Tirana të vinte dy herë në Shkodër. Normalisht prisnim të luhej në fushë tonë, por duke parë rrethanat, mendoj se kemi bërë zgjidhjen më të mirë.
E kam ditur edhe më parë që do të kishim probleme me fushën e stadiumit “Loro Boriçi”, por në momentin që UEFA vendosi ultimatum për rregullimin e terrenit, unë kërkova që më mirë të luanim në Tiranë sërish, se një fushë tjetër.
Ndoshta edhe prej efektit psikologjik vjen kjo zgjedhje, duke qenë se fituat në fazën e parë ndaj Tiranës në atë stadium…
Kjo nuk do të thotë gjë. Normalisht lojtarët e njohin atë fushë, por nuk duhet të harrojmë se po këta kanë qenë që edhe kanë humbur në “Selman Stërmasi” kundër Tiranës. Për mua nuk ka asnjë problem, sepse nuk e shikoj sikur të jetë ndeshja e fundit për ecurinë tonë. Na duhen pikët sigurisht, por ky takim nuk vendos asgjë për të ardhmen.
Çfarë prisni nga skuadra në këtë takim?
Unë thjesht kërkoj atë që bëmë në Kukës. Loja jonë aty kishte një farë progresi në drejtimin e luftës sportive dhe se si e interpretoi ndeshjen skuadra. Pavarësisht se humbëm disa raste dhe ndeshja mund të mbyllej në barazim ose ne do të fitonim thellë, prapë isha shumë i kënaqur me atë që bëmë në Kukës. Me atë që më tregoi ekipi në ndeshjen e fundit, unë do të jem i kënaqur nëse e përsërit të njëjtën lojë kundër Tiranës. Të paktën të jemi në këtë nivel paraqitjeje. Nuk dua që të bëjmë hapa mbrapa, por të shohim përpara, edhe pse e dimë që Tirana ka forcën e saj. Duke respektuar çdo kundërshtar, atëherë do të marrim atë që na takon. Shpresoj ta kalojmë me sukses këtë ndeshje, e më pas të programojmë pjesën e pauzës shumë të çuditshme që do të kemi.