Saturday, January 31, 2026
FAQJA E PARE KRYESORE'Judo Vllaznia' deklaratë për mediat: Nuk po marrim mbështetjen e duhur dhe...

‘Judo Vllaznia’ deklaratë për mediat: Nuk po marrim mbështetjen e duhur dhe nuk po lejohemi të arrijmë rezultate të larta

Ekipi i xhudos së Vllaznisë ndjehet i nënvlerësuar nga Bashkia Shkodër për mbështetjen financiare dhe pas disa intervistave të dhëna në media, sot stafi i “Judo Vllaznia” ka dalë me një deklaratë për mediat, ku flet për shumë padrejtësi që i janë bërë këtij sporti. Ja deklarata e plotë:

“Si pjesëtare e familjes Shkoza dhe më pas edhe si kryetare e Shoqatës Judo Vllaznia, që babai im Anton Shkoza drejtoi dhe vuri gurët e themelit për vite me radhë duke dhënë në Shkodër dhe më gjerë kontribut me vlerë shoqërore, edukative, por edhe profesionale në njohje kombëtare dhe ndërkombëtare, dua të shpreh personalisht këtë DEKLARATË.

Jam rritur në sportin e Judos dhe nën hapat e babës tim që në moshën 3-vjeçare dhe aktualisht jam 30 vite pjesë e pandarë e Judo Vllaznisë: 25 vite si titullare e Vllaznisë, disa herë kampione kombëtare, medalje e bronztë në Ballkan, por edhe që 14-vjeçare drejtuese dhe trajnere në ekipet e Vllaznisë dhe kryetare e kësaj Shoqate. Vëllai im Luigj Shkoza, paralelisht me mua, kampion kombëtar disa vite me radhë dhe medalje e bronztë në Ballkanik, njëkohësisht trajner i ekipit të rritur Judo Vllaznia. Xhovani Shkoza, kampion kombëtar disa vite me radhë, i 16-ti në Kampionatin Botëror për Kadet, i 7-ti në Kupën e Europës Junior, njëkohësisht instruktor.

I them këto detaje me një qëllim: aftësia, autoriteti dhe kontributi ndër vite na kanë dhënë formimin dhe prestigjin për të gjykuar situatën e sportit të Judos në nivel profesional.

Janë të shumtë sportistët kampionë që kanë dalë nga gjiri i Vllaznisë, çka dëshmon profesionalizmin dhe seriozitetin e stafit. Çdo vit dhe çdo rezultat i ka dhënë pasqyrë të mirë Shkodrës dhe Vllaznisë. Që në fillimet e veta, Vllaznia ka pasur potenciale të panumërta për rezultate serioze, ndërkohë që mbështetja ka qenë jo në nivel serioz.

Deklarojmë për mediat, sportdashësit dhe komunitetin se Judo Vllaznia nuk po merr mbështetjen e duhur dhe kjo është serioze, pasi nuk po lejohet Vllaznia të arrijë rezultate të larta. Familja Shkoza po jep kontribut prej vitesh pa u lodhur, duke shpresuar se do të vijë koha që gjërat të shkojnë në vend. Ne vazhdojmë të bëjmë të njëjtën punë me të njëjtin vullnet, sakrificë dhe dëshirë.

Çfarë vendi ka Judoja në Shkodër? Çfarë mbështetjeje do të ketë në vazhdim? A po merret media si duhet me këtë çështje? A reagojnë drejtuesit institucionalë?

A e do Shkodra rininë, kontributin dhe punën e pastër profesionale?

Nëse po, presim menjëherë ndryshim dhe reagim institucional për sportin e Judos. Nëse jo, familja Shkoza dhe stafi Judo Vllaznia do të vazhdojnë të japin për vendin e tyre, për fëmijët, të rinjtë dhe për të gjithë ata që e duan sportin dhe Shkodrën, me shpresën se padrejtësive do t’u vijë fundi dhe sporti do të lulëzojë”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments