Ralf Rangnik i do të gjithë lojtarët e Mançester Junajtidit të vaksinuar, pas shpërthimit të COVID-it që ndërpreu sezonin e “Djajve” gjatë javës së fundit. Dy ndeshjet e fundit të tyre, kundër Brentfordit dhe Brajtonit u shtynë, ndërsa tekniku gjerman kishte më pak se 10 lojtarë gati për të dyja takimet. Qendra stërvitore “Carrington” u hap vetëm këtë javë pasi u mbyll dy herë.
Në konferencën e djeshme për shtyp, Rangnik konfirmoi se në stërvitje morën pjesë 25 lojtarë, duke ardhur në kushte normale për ndeshjen e së hënës kundër Njukasëllit.
I vetmi që mungonte ishte Pol Pogba, që vijon të riaftësohet pas dëmtimit muskulor që pësoi me kombëtaren e Francës. Por, 63-vjeçari nuk do që t’i përsëritet një situatë e ngjashme në të ardhmen dhe urdhëroi lojtarët e tij të vaksinohen:
“Premier Liga do të provojë gjithçka për ta mbajtur të sigurt kampionatin dhe situatën rreth lojtarëve. Ne duhet t’i nxisim futbollistët që të respektojnë rregullat dhe të jenë të disiplinuar. Duhet të sigurohemi që shumicën e lojtarëve t’i kemi të vaksinuar.
Me sa di, ne kemi një numër të lartë lojtarësh të vaksinuar në klubin tonë, por javët e fundit tregojnë se edhe kur je i vaksinuar dy apo tri herë mund të infektohesh, veçanërisht me variantin e ri të virusit.
Por, ti je i mbrojtur nga simptomat e rënda dhe shumica e lojtarëve tanë që u testuan pozitivë, të paktën patën simptoma shumë, shumë të lehta dhe nuk vuajtën”. Premier Liga njoftoi këtë javë se 16% e futbollistëve nuk kanë kryer asnjë dozë vaksine.