Analisti Redi Jupi gjatë emisionit “Procesi Sportiv” është ndalur tek ndeshja Vllaznia- Partizani dhe pasi ka bërë një analizë të saj, ka folur edhe për pretendimet e secilës skuadër, teksa edhe atë shkodrane tashmë e rendit mes atyre që do të synojnë titullin kampion.
“Vllaznia e fitoi ndeshjen në mënyrë të merituar, por nuk është se e vuri për fundi Partizanin, nuk e mposhti plotësisht. Ajo ishte shumë e bukur pasi shënoi golin. Madje bëri atë lojën e një skuadre që ne kemi dëshirë ta shohim të gjithë, bëri një thembër më shumë.
Vllaznia nuk është se dominoi shumë në lojë. Ishte një pjesë e parë pak më e mirë e saj, por gjithsesi Partizani nuk i dha shumë mundësi të rrezikonte. Ndërsa në pjesën e dytë loja ishte më e ballancuar, madje Partizani jo vetëm arriti të ngrinte lojën e tij, por në një moment madje ishte më pranë fitores, pikërisht kur hynë në lojë Bardhi, Asani dhe Cordeiro.
Partizani në ato aksione që bëri, po shkonte me më shumë forca në sulm, po e bënte edhe me 4-5 lojtarë. Ndërsa Vllaznia po e bënte manovrën sulmuese më me rregull dhe më me cilësi. Dhe kur shënoi golin, tregoi se ka potenciale që akoma nuk i ka çliruar. Sepse kjo Vllaznia e bukur që pamë pas golit me Partizanin, nuk u pa në ndeshjen me Teutën.
Vllaznisë nuk i mungon asgjë për të qenë pretendente deri në fund, por për të qenë një skuadër bindëse, shikoj edhe disa të meta të vogla që ajo duhet t’i rregullojë. Me Tiranën e Partizanin shënoi në fund, me Teutën e pashë në vështirësi, këto janë ato gjëra që duhet të zgjidhi Vllaznia për të qenë pretendente për kampione.
Vllaznia u shfaq më shpejt si pretendente se Kukësi dhe skuadrat e tjera, por unë e përsëris se këtë sezon do të jenë gjashtë skuadra në garë të fortë me njëra- tjetrën për të arritur objektivin e të shpallurit kampion.