Nga Maringlen ZHIVANI
Tërbuni i është rikthyer sërish përgatitjeve pas fitores ndaj Murlanit në ndeshjen përmbyllëse të fazës së parë. Sa i përket gjysmës së dytë të kampionatit, skuadra pukjane pritet që të rikthehet fuqishëm në garë, teksa do të kryejë edhe ndonjë afrim të mundshëm gjatë merkatos dimërore.
Sulmuesi kryesor i Tërbunit, Jurgen Gjini, autor i gjashtë golave deri më tani, thotë për gazetën “Shkodra Sport” se pukjanët do të jenë ndryshe në gjysmën e dytë të sezonit.
“Jam i lumtur për golat që kam shënuar, por jo për pikët e marra. Golat e mi janë fryt i lojës së skuadrës dhe formës sime sportive. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të vijoj të shënoj sërish dhe golat e mi të kenë vlerën e tre pikëve.
Jemi gati për gjysmën e dytë të sezonit. Po përgatitemi maksimalisht. Sa i përket renditjes, jam i bindur që ajo të ndryshojë në fazën e dytë dhe do marrim pikë sa më shumë që të jetë e mundur, duke nisur që nga ndeshja e parë me Ilirinë e Fushë-Krujës në transfertë.
Synimi kryesor është që Tërbuni të ngjitet në Kategorinë e Parë, pastaj për numrin e golave personal, shpresoj të jetë sa më i lartë”,-tha në prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, sulmuesi i Tërbunit, Jurgen Gjini.