Në “O2 Arena” të Londrës do të zhvillohet të shtunën dueli për titullin e përkohshëm kampion bote në peshën e rëndë, kategoria WBO, mes britanikut Fabio Wardley (19 fitore, asnjë humbje e 1 barazim) dhe neo-zelandezit Joseph Parker (36 fitore e 3 humbje).
Një duel që pritet me shumë interes, pasi Parker ka qenë dikur kampion bote dhe synon të rikthehet në majë. Pritet që fituesi i kësaj sfide të përballet vitin tjetër pikërisht me ukrainasin Oleksandr Usyk, që mban titullin e kësaj kategorie.
Por në këtë mbrëmje do të zhvillohen edhe disa duele të tjera, ku spikat ai për titullin vakant të peshës “cruiserweight”, në kategorinë IBO. Një nga pretendentët për ta fituar këtë titull është boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj.
Uldedaj (29 fitore e 1 humbje në karrierë) do të përballet të shtunën me kamerunasin Rolly Lambert Fogoum (18 fitore, 3 humbje e 1 barazim në karrierë) për kurorën, me shpresën që të arrijë majën e botës në këtë peshë (pesha deri 90kg).
Një mision i vështirë por jo i pamundur për Uldedaj, që më në fund ka shansin të bëjë atë që nuk e ka arritur asnjë boksier tjetër shqiptar. Për pasojë, pritet të jenë të shumtë fansat kuqezi të shtunën në Londër për të mbështetur Uldedaj.







