Interi bëhet gati të djegë konkurrencën e ashpër me të cilën po përballet për të siguruar Marash Kumbullën, të cilin në Itali e vlerësojnë si një nga talentet më të mëdhenj në qarkullim në mbrojtje. Mediat italiane kanë zbuluar se drejtuesit zikaltër do të jenë të parët që do të takojnë presidentin e Veronës, Mauricio Seti, për të siguruar firmën e futbollistit të talentuar shqiptar.
Kumbulla ka djegur çdo etapë dhe po tregon personalitet të jashtëzakonshëm në një kampionat të vështirë siç është ai italian. Ndaj përveç Interit, drejt tij kanë hedhur sytë Juventusi, Lacio, Atalanta, skuadra franceze dhe skuadra angleze, me Mançester Junajtid që përmendej së fundmi në mediat ndërkombëtare si i interesuar për futbollistin.
Përtej Adriatikut kaun mësuar se ka pasur bisedime paraprake, me palët që kanë shpalosur kushtet fillestare, si vlerësimi prej 20 milionë eurosh që i bën Verona futbollistit. Kërkesa e Veronës është që si “paketë” të përfitojë huazimin e të riut Dimarko për këtë sezon dhe atë pasardhës, me të drejtën e blerjes në fund të kartonit të tij. Ndërkohë, Interi ka refuzuar kategorikisht përfshirjen në marrëveshje të Sebastiano Espozito, edhe pse Verona kishte bërë të qartë se me të do të veprohej si me Moise Kin të Juventusit dy vite më parë.
Por këto kanë qenë vetëm bisedimet e para, takimi i ditëve të fillimit të janarit pritet që të qartësojë më shumë situatën e mbrojtësit shqiptar i cili e sheh veten pas vetëm pak muajsh si profesionist, si një nga emrat më të përfolur në merkato. /vipsport/