Sulmuesi i Real Madridit, Endrick, ka përcaktuar kritere shumë të qarta për huazimin e tij në janar, duke kërkuar një klub nga pesë ligat kryesore të Evropës ose nga treshja elitare e Portugalisë (Porto, Sporting, Benfica).
Braziliani kërkon që destinacioni i tij i ardhshëm të luajë në Ligën e Kampionëve ose Ligën e Evropës, të ketë stil sulmues loje dhe të jetë një skuadër që synon titullin kampion në kampionat.
Endrick nuk ka luajtur asnjë minutë në 11 ndeshjet e La Ligës nën drejtimin e Xabi Alonsos, për shkak të problemeve me muskujt dhe konkurrencës së ashpër me Kylian Mbappen dhe Vinicius Juniorin. Për këtë arsye, ai e sheh huazimin si të domosdoshëm për të fituar minuta loje para Botërorit 2026 me Brazilin.
Raporti shton se Real Madridi nuk do ta pengojë marrëveshjen, pasi prioritet mbetet zhvillimi i lojtarit, por me kusht që të jetë vetëm një huazim afatshkurtër, pa asnjë opsion blerjeje përfundimtare.
Sipas gazetarit italian Fabrizio Romano, Endrick e sheh të ardhmen e tij afatgjatë në “Santiago Bernabeu”, por agjentët e tij po shqyrtojnë opsione si Real Sociedad, Marseille dhe Sevilla, që përputhen me kriteret e kërkuara.
Megjithatë, ESPN raporton se Juventus është klubi më i mundshëm për ta marrë brazilianin në janar. Aktualisht, Endrick është i fokusuar të fitojë ndonjë minutë në muajt e mbetur, megjithatë nuk do ta refuzonte kalimin e mundshëm te “Bianconerët”./Telegrafi







