Granit Xhaka rikthehet fuqishëm në ‘radarin’ e Juventusit. Pas hezitimit të verës, kur drejtuesit bardhezinj u tërhoqën për shkak të moshës dhe kostove të operacionit, tani Comolli dhe Luciano Spalletti janë gati t’i japin dritën jeshile një sulmi të ri në janar për mesfushorin 34-vjeçar.

Xhaka, i cili këtë sezon po shkëlqen me Sunderland-in, surpriza e madhe e Premier League, aktualisht e katërta në renditje, konsiderohet profili ideal për rolin e regjisë në skemën 4-3-3 që Spalletti planifikon t’i japë Juventusit. Sipas ‘TuttoSport’, klubi anglez nuk pritet të bëjë rezistencë dhe me rreth 15 milionë euro, të njëjtën shumë që pagoi në verë, do t’i jepte lojtarit mundësinë që të bëjë hapin e fundit të karrierës te një gjigant evropian që luan në Champions League.

Pse Juve kthehet tek Xhaka?

Zgjedhjet e verës nuk kanë dhënë rezultatin e shpresuar. Tandemi Locatelli–Thuram nuk ka arritur të garantojë ekuilibrin e nevojshëm për të përballuar tri kompeticionet, ndaj Spalletti kërkon një regjisor të mirëfilltë, me eksperiencë dhe peshë brenda dhomave të zhveshjes.

Thiago Thuram, në vizionin e trajnerit, shihet më shumë si ‘mezzala’ e depërtimeve, rol që Spalletti e ka përdorur me sukses me Nainggolan te Roma dhe me Vecinon tek Interi. McKennie është përdorur shpesh në krahë, ndërsa Koopmeiners është zhvendosur pothuajse përfundimisht në mbrojtje. Këto ndryshime e bëjnë Xhakën një element të përshtatshëm për të sjellë qartësi dhe qetësi në mesfushë.