Xhiorxhio Kielini do të vazhdojë të luajë me Juventusin. Telenovela ka marrë fund sot zyrtarisht, teksa klubi bardhezi ka bërë të ditur se ka rinovuar kontratën e mbrojtësit i cili ishte kapiteni i Italisë në Euro 2020.

Kontrata e futbollistit kishte përfunduar në qershor dhe palët nuk ishin ulur në tavolinën e bisedimeve, duke hapur skenarë të ndryshëm e spekulime në media.

Por me sa duket gjithçka është shtyrë vetëm për të mos shqetësuar Kielinin gjatë pushimeve, pasi me përfundimin e tyre, mbrojtësi ka hedhur shpejt firmën në kontratë.

Ajo që pakkush priste ishte në fakt kohëzgjatja e kontratës. Për rinovimet e “veteranëve”, Juventusi ka përdorur zakonisht strategjinë e firmës për vetëm një sezon.

Por klubi bëri të ditur se Kielini ka rinovuar deri në qershorin e vitit 2023 me Juventusin, për dy sezonet e ardhshme.

Një mesazh i qartë për ata që dyshuan në vazhdimin e bashkëpunimit, por edhe i vetë mbrojtësit 36-vjeçar i cili me sa duket kërkon që të jetë protagonist edhe në Botërorin 2022 me fanellën e Italisë.