Vllaznia do të luajë takimin e rradhës në kampionat ndaj Laçit, që do të jetë ditën e sotme në orën 15:00 në stadiumin e Laçit. Realisht, kundër kurbinasve nuk tolerohen hapa fals, por edhe nëse Vllaznia arrin të marrë një pikë, atëherë shkodranët do të duhet të ishin të kënaqur, pasi kanë mungesa të shumta prej problemeve me dëmtimet.

Në këtë mendim është edhe ish-futbollisti i Vllaznisë dhe i Laçit, Valdano Nimani. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, ish-sulmuesi ka komentuar përballjen e sotme në këndvështrimin e tij.

Nimani u shpreh se shpreson që Vllaznia ta fitojë këtë ndeshje, pavarësisht gabimeve amatoreske gjatë ndeshjeve të fundit, si të stafit, ashtu edhe të futbollistëve. Ai theksoi se ndoshta sulmi i shkodranëve mund të bëjë diferencën ditën e sotme, por edhe një pikë për Vllazninë nuk do të ishte keq, duke marrë në konsideratë mungesat që kanë shkodranët.

“Të them të drejtën, Laçi-Vllaznia do të jetë një ndeshje e fortë dhe me mjaft rivalitet në fushën e lojës. Besoj dhe uroj që ta fitojë Vllaznia këtë ndeshje, pavarësisht shumë gabimeve amatoreske, si të stafit dhe të futbollistëve, por edhe një barazim nuk mund të quhet rezultat negativ, duke marrë në konsideratë mungesat që ka ekipi shkodran.

Edhe pse me disa mungesa, shpresoj që sulmi të jetë në ditë të mirë dhe të bëjë diferencën në këtë ndeshje ndaj Laçit, sepse e kanë potencialin. Shpresoj që të fitojë Vllaznia, por edhe Laçi nga ana e saj di si t’i luajë ndeshjet deçizive si kjo e sotshmja.

Laçin nuk duhet me e pa nga renditja aktuale, sepse kanë ekip me cillësi. Megjithatë, është çështje kohe, sepse edhe Laçi ka ndryshuar futbollistë dhe ka marrë të tjerë dhe duhet kohë që të përshtaten me ekipin.

Çfarë nuk po shkon te Vllaznia? Personalisht, unë nuk e di nga t’ia filloj. Nuk mund të hyj në taktikën e profesor Mirel Josës, por qysh në javën e parë, kam parë që ekipi është më dobët se vjet realisht. Në përgatitje fizike janë më dobët se sa vjet.

Gjithashtu, shoh një frymë jo të mirë, jo sportive, jo me dëshirë për të hyrë në ndeshje. Nuk e di çfarë problemesh kanë, ama shpresoj që të rikthehen sa më shpejt në gjendjen e duhur. Nuk është problem pse humbëm ndaj Partizanit, por është problemi tek vazhdimësia.

Javë pas jave, nuk po ka rritje as në cilësi, as në gola, as në lojë, as në prodhim loje. Ndoshta e kam gabim te pjesa e përgatitjes fizike, por Vllaznia po lë shumë për të dëshiruar”,-mbylli prononcimin e tij, ish-sulmuesi i Vllaznisë dhe i Laçit, Valdano Nimani.
Maringlen ZHIVANI