Trajneri Mikel Arteta i shkoi vërtetë pranë titullit në Premier League teksa Arsenali i tij u dorëzua vetëm në javët e fundit përballë Manchester Cityt të trajnerit Pep Guardiola. Tekniku spanjoll do të provojë sërish sezonin e ardhshëm, ndërsa në një intervistë për Marca-n injoron zërat që e lidhin me Paris Saint-Germain duke theksuar se është i lumtur te londinezët. Nga ana tjetër, tekniku spanjoll zbuloi edhe arsyen pse nënshkroi me lojtarë nga City si Zinchenko e Gabriel Jesus.

“Propozim nga PSG? Ajo që mund të them unë është se jam shumë i lumtur te Arsenali. Ndjej dashurinë dhe vlerësimin e drejtuesve të klubit, kam ende shumë plane për Arsenalin. Jam i lumtur dhe mirënjohës të jem trajner i këtij klubi.

Pse transferojmë lojtarë nga City? Është e thjeshtë, sepse ata janë shumë të zotë. I njoh mirë lojtarët atje pasi kam punuar për katër vite me ta, i doja me patjetër Gabriel Jesus dhe Zinchenkon jo vetëm për anën e fushës, por edhe pjesën njerëzore të tyre.

Tani duam të ndërtojmë një skuadër q ëtë ketë vazhdimësi dhe të jetë fituese. E kemi rifreksuar organikën, na duhen lojtarë të rinj. Ajo që mund të them është se do ta “sulmojmë” tregun për të marrë elementët që na duhen”, u shpreh Arteta.