Anëtari i Bordit Ekzekutiv të Bajern Mynihut Oliver Kahn i vendosi vulën debatit rreth çështjes së kush duhet të jetë portieri i parë i bavarezëve.

Në një intervistë për “Goal”, “Titani” la të kuptohej se Manuel Nojer mbetet zgjedhja e parë e Bajernit, ndërkohë portieri i Shalke 04 Aleksandër Nubel, i cili do t’u bashkohet sezonin e ardhshëm kampionëve në fuqi të Gjermanisë do të mësojë shumë prej Nojerit.

“Në përgjithësi, siç e kam treguar dhe vetë, natyrisht që portierët mund të luajnë deri në një moshë madhore, por të qëndruarit në nivele të larta është një sfidë e madhe.

Te Nubeli shohim një talent të madh, i cili ka mundësi të mësojë shumë prej Nojerit. Jo shumë portierë e kanë mundësinë të mësojnë prej një gardianit më të mirë në botë”, përfundoi ish-portieri legjendar gjerman.

Nojer kërkon që klubi t’i ofrojë rinovim kontrate pëe 2 vite si dhe qëndrojë titullar te Bajerni. Zërat se portieri Nubel do t’i zërë vendin te Bajerni e kanë acaruar kampionin e botës me Gjermaninë në vitin 2014, ndërkohë që është përfolur se vendin e tij mund ta marrë portieri i Barcelonës Martin Ter-Shtegen, i cili ende nuk ka marrë përgjigje pozitive nga drejtuesit për rinovimin e kontratës.