Shkruar nga Endri ÇINARI
Kampionati shqiptar i futbollit do rikthehet në datën 14 janar, ku skuadrat e elitës do zbresin në fushë për javën e 19-të të edicionit. Që përkon edhe me nisjen e fazës së tretë dhe pjesës së dytë të sezonit. Në këtë mënyrë, duelin e parë në kampionat, Vllaznia do e zhvillojë me një kundërshtar direkt për titullin kampion siç është Egnatia. Shkodranët do presin rrogozhinasit në shtëpi dhe qëllimi patjetër është një rezultat pozitiv, në mënyrë që të ngushtohet diferenca me vendin e parë që mbahet pikërisht nga ekipi i Tetoves.
Pra, një nisje “zjarri” menjëherë për 9 herë kampionët e vendit tonë në vitin 2026, ku shkodranët duhet medoemos të synojnë fitoret për t’u afruar me kreun. Por, kalendari nuk është treguar aq “bujar” me skuadrën e Martinit as në javët pasardhëse. Kjo pasi duelet direkte për titullin kampion do vijojnë sërish dhe në javën e 20-të të sezonit, kuqeblutë do jenë vizitorë përballë Dinamos. Një duel që mund të vendosë shumëçka në varësi të rezultatit përfundimtar që do vuloset pas 90 minutash.
Kështu në dy javët e para të kthimit të kampionatit, shkodranët mund t’i japin një tjetër ritëm dhe shije sezonit të tyre në rast suksesesh ndaj kundërshtarëve direktë. Teksa edhe në javën e 21-të kuqeblutë do kenë sërish një sfidë delikate, kësaj rradhe në shtëpi kundër Partizanit.
Një skuadre që po ashtu kërkon të bashkohet në garën për “final 4” dhe është një rival që duhet konsideruar dhe që ka cilësi në fushën e lojës. Prandaj tek Vllazniq janë të përgatitur për një kalendar “ferri” në rikthimin e kampionatit. Ku në fund të këtyre 3 ndeshjeve mund të kuptohet më qartë se si mund të shkojë edicioni i kuqebluve deri në përfundimin e tij në muajin maj.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


