Nga Endri ÇINARI

Kampionati shqiptar i futbollit do rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e javës së 7-të të edicionit 2025-26. Gjitha skuadrat e elitës së futbollit tonë do “ngrohin” edhe njëherë motorët, për një tur force 3 javor, që do mbyllë edhe fazën e parë të kampionatit. Kështu në këtë mënyrë përjashtim nuk bën as Vllaznia, me shkodranët që në rikthimin e kampionatit dhe aktivitetit të zakonshëm, janë kryesues të Superiores, me 13 pikë në 6 javët e para. Duke shënuar edhe 11 gola e duke pësuar 5 të tillë.

Por, skuadra e Martinit duket se nuk kërkon ta ndalojë ritmin, por ta vijojë rrugën e fitoreve e po ashtu të thellojë diferencat me kundërshtarët në fundin e fazës së parë. Kalendari për kuqeblutë është po aq i favorshëm, por edhe i “sikletshëm” në këto 3 raunde të ngelura të fazës së parë. Kjo pasi 9 herë kampionët e vendit do ndeshen me ekipet që nuk janë pretendente këtë edicion, por që kërkojnë me patjetër pikët për t’u larguar nga vendet e fundit të renditjes. Duke nisur që me përballjen e javës së 7-të, ku Vllaznia shkon në Ballsh si vizitore, shkruan shkodrasport.com

Një duel po aq i vështirë, aq edhe i kalueshëm për shkodranët të cilët këtë edicion deri më tani i kanë dominuar gjithë kundërshtarët në aspektin e lojës. Pas duelit me mallakastriotët, kalendari rezervon “klasiken” e Shqipërisë për Vllazninë, me Tiranën që do vizitojë Shkodrën në kuadër të javës së 8-të. Ku në ndeshjet shtëpiake Vllaznia njeh vetëm fitore, teksa në sezonet e fundit ka dominuar edhe duelet ndaj bardhebluve. E kështu objektivi ngel fitorja edhe kësaj rradhe në “Loro Boriçi”.

Sfida që mbyll fazën e parë për Vllazninë luhet në Vlorë ndaj Flamurtarit, një ekipi që ende duket se e ka të vështirë për të gjetur identitetin. Por, që asnjëherë s’mund të nënvlerësohet pavarësisht situatës ku mund të ndodhet. Megjithatë në letër shkodranët kanë mundësinë e marrjes së pikëve të plota në 3 javët e ardhshme të Superiores. Me kalendarin që i ka vënë përballë tre skuadra që momentalisht duken në garën për mbijetesë dhe jo zonat e larta të renditjes së kampionatit.(www.shkodrasport.com)