Fabrizio Kamarata nuk do të jetë më trajneri i Apolonisë. Pak ditë më parë, “Vipsport.al”, zbuloi lajmin se trajneri italian nuk do të ishte më në krye të skuadrës e madje kishin nisur edhe negociatat me trajner shqiptarë por edhe të huaj, e madje edhe italianin Noçerino. Shanset janë që trajneri i ri të vijë nga përtej Adriatikut.

Apolonia ka nisur merkaton dhe është e interesuar për Aldo Qoshkun që luajti dhe spikati me Lushnjën vjet. Mesfushori i lindur në Greqi, 20-vjeçar ka luajtur më herët edhe për Skënderbeun në elitë dhe Dinamon në Kategorinë e Parë, ndërsa sezonin e fundit me Lushnjën u aktivizua 1474′ në 17 ndeshje, duke realizuar dhe 2 gola.

Ndërkohë, fierakët pëlqejnë edhe brazilianin e Teutës, Iran Gonçalves, i cili pak hapësira gjeti te durrsakët, por shkëlqeu përpara dy sezonesh te Besa e Kavajës, duke shënuar 12 gola në 18 ndeshje.

Një tjetër futbollist që ngjall interes, është sulmuesi Kejsion Kumanaku. 22-vjeçari fierak ka zhvilluar një kampionat të mirë me Labërinë në Kategorinë e Dytë, duke realizuar 7 gola. Tashmë ai është një lojtar i lirë dhe Apolonia mbetet një pistë e mundshme, pavarësisht ofertave të shumta që Kumanaku ka nga ekipe të Kategorisë së Parë apo dhe në Kosovë.