Pas dy javësh mungesë, Veteranët e Vllaznisë rikthehen tek fitorja në kampionat. Mbrëmjen e sotme ato kanë triumfuar me rezultatin 13-9 ndaj ekipit të Spitalit Rajonal Shkodër, në ndeshjen e luajtur në kompleksin “Zmijani” në kuadrin e ndeshjeve të javës së 7-të të kampionatit 5×5 Masters që po organizohet nga Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër, me mbështetjen e Shoqatës “Pro Sport”.
Ky takim në fakt nisi më mirë për ekipin e mjekëve dhe infermierëve të cilët shënojnë dy gola të shpejtë me anë të Mustafajt dhe Pjetrushit, por veranët e Vllaznisë reaguan duke barazuar me golat e shënuar nga Kurti e Osja. Rivaliteti do të vazhdonte gjatë gjithë pjesës së parë e cila do të mbyllej me shifrat 4-4.
Në të dytën do të vendoste kualiteti i veteranëve kuqeblu. Spikat Kurti që do të shënonte edhe tre gola të tjerë duke plotësuar numrin pesë të golave në këtë ndeshje, por nuk kanë munguar edhe golat e Dervishajt, Belishes, Xhahyses e Zmijanit.
Ato kanë bërë të pavlefshëm pesë golat e ekipit të Spitalit dhe kësisoj i gjithë takimi u mbyll me fitoren 13-9 në favor të ekipit të Veteranëve të Vllaznisë. Ai me këtë fitore ngjitet në kuotën e 10 pikëve dhe mban vendin e katërt në renditje, ndërsa ekipi i Spitalit Rajonal Shkodër e mbyll fazën e parë të kampionatit në vendin e tretë me 12 pikë.
VLLAZNIA VETERANËT- SPITALI RAJONAL SHKODËR 13-9
(Kurti 5, Belisha 3, Xhahysa 2, Zmijani, Osja, Dervishaj / Kulla 3, Mustafaj 2, Pjetrushi 2, Bushaj, Juka)


