Nëse Kategoria Superiore konsiderohet një kampionat i çmendur për shkak të ngjeshjes së skuadrave në krye të klasifikimit, me siguri nuk keni parë se çfarë ndodh në kampionatin suedez.
Sot është zhvilluar java e fundit e kampionatit dhe në garë për titullin kanë qenë plot 3 skuadra, të cilat kanë luftuar deri në sekondën e fundit për të fituar titullin.
Malmo, Hamarbi dhe Djurgarden ishin skuadrat të cilat luftuan për titullin kampion dhe pikërisht këta të fundit, arritën të çonin trofeun në shtëpi. Barazimi 2-2 ndaj Norrkopingut, i ka mjaftuar skuadrës ku aktivizohet Astrit Ajdareviç për të fituar titullin kampion, teksa gjithçka ishte ndërlikuar në pjesën e parë.
Skuadra e Ajdareviç po mundej 2-0 dhe dy golat e shënuar në pjesën e dytë kanë mjaftuar për t’i dhënë titullin dhe për të fituar me 1 pikë më shumë se Malmo dhe Hamarbi.
Këto të fundit, e kanë bërë punën e tyre deri në fund teksa Malmo ka fituar 0-5 ndërkohë që Hamarbi ka fituar 4-1. Kundër Djurgardenit, ishte skuadra e Egzon Binakut por ky i fundit nuk u aktivizua ku natyrisht shpresonte që të fitonte ndeshjen në mënyrë që Malmo, ish-ekipi i tij të shpallej kampion.
Ndërkohë, pa fat ishte Kalmari i Fidan Alitit që u mund dhe tashmë luan në “Play Off” për të siguruar mbijetesën teksa ka rënë skuadra e Eskilstunës ku aktivizohet Anel Rashkaj i Kosovës. /VipSport/