Muriqi apo Kaisedo? Ky është diskutimi që po bëhet aktualisht në Itali, duke parë formën që po kalon sulmuesi ekuadorian dhe ajo që pritet nga sulmuesi kosovar. Diskutim të cilit nuk i është shmangur as kandidati kryesor për të zënë vendin e drejtorit teknik në FSHF, ish-kandidati për trajner i përfaqësueses shqiptare, Xhiankarlo Kamoleze.

Italiani, në një interevistë për TMË, ka argumentuar se sulmuesi kosovar duhet pritur, ashtu siç ka bërë shpesh Lacio me futbollistë të tjerë.

“Kaisedo është i fortë dhe Inzagi e di si ta përdorë. Për Muriqin do të prisja për të dhënë vlerësime, pasi Lacio ka treguar se di të presë lojtarët e vet, si për shembull Luis Alberton. Por para se të shisja Kaisedon, do të mendohesha gjatë.

Çfarë pres nga Muriqi? Le të flasim në përgjithësi, e japim të mirëqenë që të huajt do të kenë mënjëherë impakt, por nuk është kështu, duhet durim. Dikush ia del menjëherë, edhe falë karakterit, të tjerëve u duhet që të mësojnë një kampionat të ndryshëm. Unë pres që Inzagi dhe stafi i tij të gjenë momentin e duhur për ta hedhur në fushë”, tha Kamoleze rreth sulmuesit të Kosovës. /vipsport.al/