Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, deklaroi në emisionin “Skaner” në MCN TV, se kuqeblutë do të luajnë pa frikë në Europë, ndaj rumunëve të Craiova.

I pyetur në lidhje me merkaton, mbrojtësi i djathtë, u shpreh se te shkodranët janë dubluar të gjitha pozicionet dhe mendon se ekipi nuk ka më nevojë për afrime.

Për rikthimin e Herald Markut, Gurishta tha se është i lumtur që do e ketë shok skuadre, por shtoi se ndjen keqardhje, që nuk iu dha mundësia te Partizani për të treguar vlerat e tij.

Duke pasur parasysh që pas përfundimit të kampionatit, ikën disa lojtarë pa kontrata dhe duhej pak kohë për të marrë lojtarë të tjerë. Besoj se lojtarët e afruar janë të denjë përt t’i zëvendësuar. Shpresoj që Vllaznia të jetë gati për ndeshjen e parë ndaj Craiova.

Të them të drejtën, në ditët e fundit është dubluar çdo pozicion dhe besoj se nuk kemi nevojë për afrime. Mendoj se afrimi është duke u kompletuar dhe të gjithë lojtarët janë të dubluar.

Më vjen shumë mirë që Herald Marku u rikthye te Vllaznia dhe më vjen keq që te Partizani nuk i dhanë mundësinë, për të treguar aftësitë e tij. Është djalë shumë i mirë dhe futbollist i shkëlqyer.

Është pak e vështirë për të gjetur zëvendësuesit e Krymit dhe Adilit. Unë kam shumë besim te rikthimi i Dajan Shehit, sepse e njeh mirë ambientin. Në mbrojtje ka ardhur edhe një kroat, nuk kam shumë informacion për të, por besoj se do të jetë shumë i mirë. Në mesfushë kemi lojtarë shumë të mirë dhe do të jetë një pikë e fortë për ne.

Ne e dinim që do të kemi një skuadër të vështirë në Europë. Unë do të preferoja Dinamo Tbilis. Megjithatë nuk e kemi frikë. Nuk do të jetë e njëjta skuadër si ndaj Laçit, pasi janë përforcuar akoma më shumë.