Një lajm i mirë mbërrin nga Letonia e largët. Karateistja lezhjane Mikela Skandaj duket se i ka lënë përfundimisht pas problemet që ka patur me dëmtimin dhe do të marrë pjesë në Kampionatin e 15-të Europian që po zhvillohet në Riga.
Ndonëse ajo përfaqëson Italinë, Mikela mbetet sërish e vetmja shqiptare ndër 2000 sportistët pjesmarrës në këtë eveniment shumë të rëndësishëm europian dhe madje me pretendime ambicioze për garën e saj.
Mikela Skandaj do të konkurrojë në grupmoshën U17 dhe synimet e saj janë për të hyrë në zonën e medaljeve, por kjo nuk do të jetë aspak e lehtë sepse në peshën ku ajo konkurron ka një mbipopullim sportistesh dhe mbi të gjitha, vetë sportistja me origjinë nga Lezha nuk është në gjendjen e saj më të mirë.
Kujtojmë që ajo ka plot një vit që nuk garon në asnjë kompeticion për shkak të dëmtimit që pësoi tetorin e kaluar kur u dëmtua në garat e Kampionatit Europian që u zhvilluan në Varshavë të Polonisë. Dhe ndonëse në ato gara, ajo arriti të shpallej nënkampione europe për të tretin vit rradhazi.
Mikela Skandaj e cila në këtë Europian shoqërohet edhe nga i ati- Angjelini, ashtu si gjithmonë, pretendon të futet në zonën e medaljeve megjithëse gjendja e saj nuk është ajo e duhura për shkak të problemeve që ka patur, megjithatë ne besojmë tek ajo dhe tek karakteri i saj duke shpresuar që t’i dhurojë vetes një tjetër medalje.(www.shkodrasport.com)







