Sfida midis Kastriotit dhe Bylisit që ishte parashikuar të luhej ditën e djeshme u anulua nga Federata pasi gjyqtarët nuk pranon të drejtonin një ndeshje të skuadrës krurtane pasi ishin kërcënuar me jetë. Për këtë gjë foli shefi i Shoqatës së Arbitrave, Tahir Kastrati, i cili i ftuar në emisionin “Panorama Sport” në “Panorama TV” tregon se çfarë pritet të ndodhë pas ngjarjeve që ndodhën.
“Incidente të ngjashme kanë ndodhur dhe më parë. Madje e këtë sezon siç ka qenë rasti i Pukës, i Gramshit dhe në Vlorë. Ne kemi insistuar nëpërmjet Federatës Shqiptare të Futbollit dhe institucioneve që janë caktuar për këtë punë që të merren masa që të mos përsëriten më. Shumë zyrtarë të tjerë janë kërcënuar me masa të ndryshme. Megjithatë rasti i fundit është krejt i paprecedent.
Patjetër që kam folur me Juxhin Xhajën për këtë çështje. Kam qenë në lidhje të vazhdueshme, megjithëse ai ka qenë i ngarkuar nga ana psikologjike, pasi jo vetëm ai, por edhe familjarët e tij janë kërcënuar me jetë. Edhe kjo është e papranueshme, në një kohë që ne punojmë dhe bëjmë të gjitha detyrat tona që gjyqtarët të jenë me standardet e duhura, por mungesa e qetësisë, e mos pranisë së presioneve para ndeshjeve do ndikojnë patjetër në gabimet që ndikojnë garën.
Unë kam biseduar me shumë arbitra të tjerë dhe u kam kërkuar që të jenë më korrekt dhe më me iniciativë për të denoncuar raste të ngjashme. Me daljen e këtij rasti janë shprehur dhe gjyqtarë të tjerë që kanë pasur raste analoge, por jo në këtë nivel kaq të rëndë. U kam bërë thirrje, të njoftojnë dhe të mos nënshtrohen nga të tjerët. Por ne duke denoncuar të arrijmë të eliminojmë sado pak këto ngjarje.
Ne jetojmë në një shoqëri dhe të jetosh në një të tillë e të mos ndikohesh prej saj është e pamundur. Por që kjo të ndodh edhe në sport është e papranueshme. Sporti është diçka që na argëton ne si përfaqësues të këtyre institucioneve, por edhe gjithë publikun e gjerë. Kështu që me këtë rast u bëj thirrje klubeve edhe gjyqtarëve të parandalojmë raste të tilla, pasi këto nuk i shërbejnë. Këtu duket sikur del që të fitojë ai që është më i forti, jo ai që është më i miri.
Ne i kemi kërkuar të gjitha institucioneve përkatëse, duke nisur që nga Federata, pasi ne jemi pjesë e saj dhe anëtarë të Konventës Arbitrave Europian. I kemi kërkuar që të marrin masat më të ashpra për fajtorët. I kemi kërkuar dhe të gjithë institucioneve të tjera ligjzbatuese që të sjellin garancinë e jetës për çdo gjyqtar dhe çdo zyrtari. Edhe arbitri është një zyrtar i rëndësishëm i futbollit.
Ka qenë një vendim mbas ngjarjes i Shoqatës që ndeshja Kastrioti-Bylis të mos zhvillohet. Ne i kemi kërkuar të gjitha këtyre institucioneve që të marrin masat që gjëra të tilla mos të përsëriten. Të gjenden fajtorët, të gjenden vandalët dhe të ndëshkohen. Mbas marrjes së këtyre masave ne do të shikojmë vazhdimin e gjykimeve normale.
Kjo nuk është një gjë e mirë për askënd, edhe për këto dy skuadra. Por dhe njëherë duhet të kuptojmë që nuk mund të zgjidhen probleme në këtë rrugë presioni, në këtë rrugë shantazhi në këtë rrugë dhune. Nuk mund të zgjidhë asgjë, vetëm do të shkatërrojë gjithçka.
Është fakt që gabimet e arbitrave në këtë kampionat kanë qenë me pikatore. Megjithëse kanë qenë shënjestër e presionit. Rastet e gabimeve janë shumë të pakta dhe nuk kanë ndikuar në përgjithësinë e një gare korrekte dhe kaq konkurrente sa është.
Mua për fat të mirë nuk më ka ndodhur, por nga informacionet që kam kanë qenë disa raste të përsëritura që ne i kemi denoncuar në rastet përkatëse.
Thashë dhe më parë që ne jemi në pritje të masave që do të marrin institucionet përkatëse dhe në bazë të tyre ne do të marrim vendimin e duhur në vazhdimin e garës. Kur do bëhet dhe a do bëhet janë komisionet përkatëse që do të marrin vendimet. Konkretisht Komisioni i Disiplinës së Federatës”, u shpreh Kastrati.