Ka qëndruar në Shkodër tre ditë, ka luajtur një miqësore thuajse të plotë, atë ndaj Shkumbinit dhe dje është kthyer sërish në Prishtinë. Sulmuesi kosovar Kastriot Rexha tashmë ëshë në pritje të vendimit përfundimtar të drejtuesve të Vllaznisë. Nëse do ta thërrasin për të firmosur apo jo. Shtatëlarti nga Kosova e dëshiron një firmë me këtë skuadër dhe beson se I ka aftësitë e duhura për t’I shërbyer asaj. Sot ndërkohë do jetë në vendin e tij për të luajtur ndeshjen e Superkupës në mes skuadrës së tij Trepça ’89 dhe Prishtinë. Premton të shënojë golin vendimtar të fitores për mitrovicasit dhe më pas të kthehet në Shkodër për të hedhur firmën në kontratë. Këto gjëra ai I ka thënë edhe në intervistën e dhënë dje para largimit, ekskluzivisht për gazetën online “Shkodra Sport”:
-Kastriot, prej tre ditësh ndodheni në Shkodër. Pse zgjodhët të provoheshit tek Vllaznia?
-Për të gjithë kosovarët qyteti I Shkodrës është shumë I dashur. Përpos kësaj, Vllaznia njihet për traditën e madhe dhe unë mendova se mund t’I shërbej asaj. Kuptohet që të luash me këtë skuadër është realizimi I një dëshire të madhe për çdo futbollist dhe prandaj edhe unë po jetoj me këtë ëndërr e cila besoj se do të mbyllet në mënyrën e duhur.
-Por më parë keni patur fillimisht kontakte me drejtuesit e Kukësit. Pse nuk firmosët atje?
-Shiko, unë nuk kam asgjë me Kukësin dhe drejtuesit e saj por nuk më bindi shumë skuadra. Ajo është debutuese në Superligën shqiptare dhe si e tillë do ta ketë të vështirë të dominojë. Në kushte të tilla, nuk doja të rrezikoja për karrierën time. Prandaj dhe nuk e zgjata shumë por I ndërpreva kontaktet me këtë skuadër.
-Më pas, bisedime edhe me Besën?
-Me Besën ishte tjetër histori. Sëbashku me Mentor Zhdrellën ishim në bisedime me presidentin e kësaj skuadre, çdo gjë u duk në rrugën e duhur për të firmosur kontratat por më pas nuk e di se çfarë ndodhi. Presidenti ndryshoi mendim ndoshta dhe prandaj akordi nuk u arrit.
-Dhe erdhët për provë tek Vllaznia….
-Vllaznia është tjetër gjë, është një klub shumë serioz dhe ka tjetër emër. Për këto arsye,  unë pranova të vija 2 ditë të provohesha. Luajta edhe në miqësoren me Shkumbinin dhe tashmë do kthehem sërish në Kosovë. Emri I Vllaznisë është I madh dhe natyrisht për mua do ishte një arritje shumë e rëndësishme në karrierë nëse do firmosja me të.
-Deri në çfarë faze kanë shkuar bisedimet me drejtuesit e saj?
-Pas stërvitjes së sotme (djeshme), jam takuar me trajnerin Duro dhe jam përshëndetur para se të nisem për në Kosovë. Ai më tha se paraqitjet e mia kanë qenë positive megjithatë në 2-3 ditët e ardhshme pasi të bisedojë edhe me drejtuesit e klubit do vendosin.
-Ju ka sugjeruar tek stafi I skuadrës shkodrane pikërisht një ish-koleg I juaji tek ekipi Trepça ’89 Ilir Nallbani. Çfarë do të thotë kjo për ju?
-Me Ilirin kam luajtur tek ekipi I Trepçes dhe fakti që më ka propozuar ai tek drejtuesit e Vllaznisë është një privilegj për mua. Kur të vlerëson një futbollist si ai, sigurisht që është një armë më shumë dhe unë besoj se kam për t’Ia shpërblyer Nallbanit me lojë dhe gola nëse firmos për këtë skuadër.
-Kur e prisni përgjigjen përfundimtare të Vllaznisë?
-Mendoj se deri nga e diela apo e hëna, unë do marr një përgjigje e cila dëshiroj që të jetë positive.
-Dhe nëse firmos, do të thotë se premtoni shumë gola për këtë skuadër?
-Tifozët e kësaj skuadre por edhe drejtuesit e saj I garantoj se nuk do t’I zhgënjej. Do t’I kënaq me gola dhe me lojë megjithatë për momentin të presim vendimin e klubit dhe më pas të flasim për të ardhmen.
Gjergj KOLA