Kategoria Superiore do të vijë sot në me 3 nga 5 ndeshjet e vlefshme për javën e 20, që do të zhvillohen në dy fasha oraresh, në 14:00 dhe 17:00. Kështu gjithçka do të startojë në orën 14:00 në Gjirokastër, ku Luftëtari vendas do të presë kampionët në fuqi të Partizanit. Gjirokastritët janë në vendin e parafundit dhe përkundër situatës në të cilën po ecin, vijojnë të besojnë ende te mbijetesa.

Kjo u konfirmua edhe 10 ditë më parë, kur i bënë një rezistencë të jashtëzakonshme Kukësit në shtëpi dhe arritën të marrin një barazim pa gola, në një takim ku edhe mund të kishin fituar me pak më tepër fat.

Nga ana tjetër edhe kryeqytetasit janë zhytur në krizë rezultatesh që prej shkarkimit të Franco Lerdës dhe as emërimi në pankinë i patriotit të tij Adolfo Sormani, nuk ka sjellë ndryshimin e situatës, pasi viti ka nisur me 3 humbje në po kaq ndeshje.

Megjithatë sfida me Luftëtarin shihet nga “të kuqtë” si mundësia ideale për të fituar dhe bindur me lojë, si një shans për të rikthyer besimin në ekip dhe për të provuar afrimin me Kukësin kryesues.

Në orën 17:00 skuadra kryesuese e kampionatit, Kukësi do të zbresë në Vlorë, për t’u përballur me Flamurtarin vendas në një sfidë ku fitorja pritet të jetë detyrim për verilndorët, që gjithsesi kanë treguar se vuajnë jo pak ndaj skuadrave të ashtuquajtura të dobëta.

Po në të njëjtën orë, në “Air Albania Stadium” do të luhet përballja mes Tiranës dhe Teutës, me bardheblutë që do të kërkojnë fitoren e gjashtë radhazi, pikërisht në stadiumin ku edhe nisën kthesën në derbi ndaj Partizanit.

Të tre takimet do të vijnë në ekranin e Supersport bashkë me emisionin “Gol Pas Goli” që do të startojë në orën 13:00 dhe do të sjellë informacionet më të fundit parandeshjeve e intervistat me protagonistët pas tyre.