Kategoria Superiore do të startojë ditën e sotme fazën e tretë. Sfida që do hapë këtë fazë do jetë ajo e orës 14:00, teksa Skënderbeu do të presë në Korçë, Flamurtarin.
Bardhekuqtë vijnë me moral të lartë pas një fitoreje të madhe përballë Partizanit. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja kërkon vazhdimësinë e rezultateve për t’iu larguar vendit të tetë në renditje. Sakaq, dihet situata në kampin e Flamurtarit.
Kuqezinjtë janë në pikë të hallit, ndërsa u mposhtën edhe në ndeshjen e kaluar duke u fundosur gjithnjë e më shumë në renditje. Vlonjatët vazhdojnë të mos ketë asnjë fitore, ndërsa gjendja nxihet edhe më shumë në momentin kur Flamurtari këtë sezon nuk ia ka dalë të marrë asnjë pikë jashtë fushës duke u mundur në nëntë përballje.
Ndërkaq, ndeshja e dytë për këtë fazë të tretë do jetë ajo e Shkodrës në orën 17:00, ku Vllaznia do presë Laçin. Kuqeblutë duken në një moment pozitiv teksa trajneri Jonuz i gëzohet rikthimit të Hygor, por edhe faktit se në këtë ndeshje do ketë në dispozicion sulmuesin e afruar në këtë merkato, Sidorenko.
Nga ana tjetër, Laçi pas dy humbjeve në vitin e kaluar, rregulloi bilancin me suksesin përballë Teutës, teksa në një sfidë që konsiderohet direkte për renditjen e skuadrave në klasifikim, nuk lejohen hapat fals.
Kurbinasit kërkojnë të tregojnë se janë ata që do vazhdojnë garën për në Kupat e Europës, ndërsa shkodranët duhet të mendojnë mbijetesën. Një duel special edhe për trajnerin e bardhezinjve, Armando Cungu, duke qenë se përballet me ekipin e qytetit të tij.
Ndeshjet:
14:00 Skënderbeu-Flamurtari
17:00 Vllaznia-Laçi