Ahmataj, Novi, Aleksi dhe Xhekson nuk janë largimet e vetme për “projektin e ri fitues” të Luftëtarit. Me sa duket, klubi gjirokastrit do të fillojë thuajse gjithçka nga e para, pasi në fund të këtij sezoni do të ndajë rrugët me pjesën më të madhe të atyre që kanë pasur role kyç në lojën e skuadrës në edicionet e fundit.
Vip Sport ka mësuar nga burime në klub se me mbylljen e kampionatit, janë edhe 4 emra të tjerë të cilët që tani janë bërë gati për t’i dhënë lamtumirën Gjirokastrës. Kërkesa në merkato, mospërmbushje detyrimesh nga klubi apo edhe mosarritje akordi për të rinovuar kontratën janë arsyet të cilat çojnë Behar Ramadanin, Edvan Bakajn, Oltion Rapën dhe Rustem Hoxhën të ndërpresin marrëveshjen me klubin.
Siç shihet, ne mes ketyre futbollisteve eshte edhe shkodrani Ramadani i cili mban edhe shiritin e kapitenit tek ky ekip dhe perderisa kapiteni kerkon te largohet, kjo tregon se gjerat nuk po shkojne ashtu si duhet tek Luftetari.
Ashtu si në rastin e Aleksit dhe Xhekson, me përjashtim të Bakajt bëhet fjalë për titullarë thuajse të paprekshëm në radhët e kësaj skuadre, emra të cilët kanë qenë pjesë e boshtit të ekipit këtë sezon e në ato paraardhës.
Kjo bën të qartë se pakkush tashmë dëshiron të vazhdojë te Luftëtari, dhe se nuk është çudi që këtyre katër t;u shtohen edhe lojtarë të tjerë sapo të ulet sipari i sezonit futbollistik. /vipsport/