Shkruar nga Endri ÇINARI
Viti 2026 ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për Vllazninë, me kuqeblutë që po përjetojnë një moment mjaft pozitiv si në Kupë ashtu edhe në kampionat. Shkodranët kanë regjistruar katër fitore radhazi në duelet e fundit, duke treguar stabilitet, rritje të ndjeshme në lojë dhe një mentalitet fitues që po rikthehet fuqishëm në “Loro Boriçi”.
Suksesi i fundit 1-0 ndaj Partizanit rezultoi vendimtar jo vetëm për prestigjin e sfidës, por edhe për renditjen. Falë kësaj fitoreje, Vllaznia ka marrë kreun e Kategorisë Superiore, duke konfirmuar ambiciet e saj për të qenë protagoniste absolute në këtë sezon. Një fitore e arritur me maturi taktike dhe sakrificë, që tregon pjekurinë e skuadrës në ndeshje të mëdha.
Ajo që bie më shumë në sy në këtë ecuri pozitive është siguria në mbrojtje. Në katër ndeshjet e fundit, mes kampionatit dhe Kupës, Vllaznia nuk ka pësuar asnjë gol, duke e çuar në 360 minuta rekordin e mosndëshkimit. Një statistikë që flet qartë për disiplinën dhe organizimin e repartit difensiv, por edhe për punën e gjithë skuadrës në fazën mbrojtëse.
Prapavija shkodrane po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një pikë të fortë të ekipit. Paradoksalisht, në pjesën e parë të sezonit mbrojtja ishte reparti më i kritikuar, shpeshherë vendimtare në rezultatet negative. Megjithatë, situata ka ndryshuar ndjeshëm, duke treguar se skuadra ka reflektuar dhe ka nxjerrë mësime nga gabimet e së kaluarës.
Skuadra e drejtuar nga Martini ka bërë autokritikën e nevojshme, duke korrigjuar mangësitë dhe duke ndërtuar një identitet më të balancuar. Ky transformim nuk është rastësor, por fryt i punës, përkushtimit dhe besimit në projektin teknik, elementë që tani po japin rezultat konkret në fushën e lojës.
Vllaznia synon të vijojë në këtë rrugë, duke ruajtur vazhdimësinë e rezultateve dhe soliditetin në lojë, me objektivin për të siguruar suksese të tjera në të ardhmen. Me këtë formë, kuqeblutë dërgojnë një mesazh të qartë për rivalët: Shkodra është gati të luftojë deri në fund për trofe dhe për të rikthyer lavdinë e munguar.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


