Tirana, Skënderbeu, Kastrioti dhe Bylisi janë katër ekipet shqiptare me merkato të bllokuar.

Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në FSHF se tri skuadra të Superiores dhe një e Kategorisë së Parë ende nuk kishin hapur merkaton e lojtarëve.

Të gjitha ekipet kanë detyrime të pashlyera ndaj lojtarëve apo klubeve të tjera. Ama është vetëm periudha nga data 7 janar deri më 31 janar kur çdo skuadër do të rregullojë hapjen e regjistrimit të lojtarëve.

TIRANA – Bardheblutë dihet që kanë një problem me ekipin ganez nga ku kanë marrë gushtin e 2020-ës Dansonë dhe Giamfin. Duhet të paguajnë vetëm 10 mijë euro për kartonët e blerë, që të regjistrojnë lojtarë.

Një shumë e vogël, që edhe mund të jetë paguar apo paguhet në çdo kohë.

Klubi, në fakt, nuk ka dalë me ndonjë deklaratë zyrtare, por javë më parë Tirana ishte e bindur që merkatoja nuk ishte problem për t’u zhbllokuar, ndërsa jo zyrtarisht thonë që e kanë liruar merkaton.

TË TJERAT – Merkatoja e Kastriotit është bllokuar prej kamerunasit Edi Bojom, por klubi ka negociuar dhe janë duke e shlyer detyrimin dhe presin zhbllokimin dhe transferimin e lojtarëve. Edhe Skënderbeu është bllokuar në merkato pas gjyqit të humbur ndaj një ishlojtari.

Shuma nuk është e vogël, por gjithsesi edhe te korçarët janë të bindur se gjërat do të shkojnë mirë. I kontaktuar nga gazeta, Ardian Takaj tha: “Nuk jam në dijeni, madje tani nga ju po e mësoj.

Ne të gjitha detyrimet që kemi pasur, i kemi shlyer, ndaj po më çudit ky lajm. Do të interesohem dhe do t’ju sqaroj gjithçka. Për momentin nuk kam asnjë indicie se çfarë mund të jetë.

Ne po bëjmë merkato normalisht dhe deri tani kemi finalizuar disa lëvizje”. Ndërsa Bylisi është bllokuar për një shumë të vogël ndaj një ish-lojtari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur.