Para pak ditësh u publikua lajmi se Edinson Kavanai dhe Atletiko Madrid kishin gjetur gjuhën e përbashkët për të bashkëpunuar prej sezonit të ardhshëm. Por, spanjollët po bënin të pamundurën për ta nënshkruar uruguaianin në janar kundrejt një pagese simbolike duke qenë se kontrata e sulmuesit përfundon në verë.

Por, ai që ka prishur planet ka qenë vetë Kavani i cili ka komunikuar me drejtorin sportiv Leonardo dhe ka shprehur gatishmërinë për të respektuar deri në fund kontratën e tij në Francë. Kavani e shikon këtë si një detyrim ndaj klubit dhe tifozëve parisien.

Sulmuesi edhe pse ka humbur vendin e titullarit pas transferimit të Mauro Ikardit, sërish mbetet një idhull për tifozët duke qenë se është edhe golashënuesi më i mirë në historinë e Parisit.

Një vendim i cili është mirëpritur edhe nga klubi. Në këtë formë, planet e Atletikos për ta ofruar në janar kundrejt një pagese simbolike kanë rënë dhe trajneri Simeone duhet të presë deri në 1 korrik të vitit të ardhshëm për të pasur shërbimet e sulmuesit të ri. /vipsport/