Pas një sezoni shumë problematik për çështjen e financave, FSHF ka vendosur rregulla të hekurta për klubet shqiptare. Jo më larg se 10 ditë më parë, Komiteti Ekzekutiv shtyu dhënien e licencave, duke kërcënuar hapur klube si Flamurtari, Vllaznia, Tirana e Luftëtari.
Që të katërta rrezikojnë licencimin për sezonin 2019-2020. Afati i vendosur për të rregulluar bilancet financiare është 31 korriku. Duket që në nisje të sezonit të ri, institucioni i futbollit po nis një “erë të re” të drejtimit të garës.
Pak kohë më parë, vetë presidenti Duka deklaroi se ka ardhur koha për një “vit zero”, referuar situatës së borxheve dhe me çfarë është caktuar dje nga Komiteti Ekzekutiv, lë gjurmë se po ndodh diçka e tillë.
“Në rast se edhe pas këtij afati kriteri financiar nuk do të jetë përmbushur, materialet do t’i paraqiten Komisionit të Licencimit të Klubeve në gjendjen aktuale, çka do të thotë se klubi juaj mund të rrezikojë mosmarrjen e licencës”, shkruhej ndër të tjera në vendimin e 5 korrikut të KE-së.
Gjasat janë që në këtë listë të shtohet edhe Skënderbeu, borxhet e së cilës shtohen me “faturën” që duhet t’i paguajë UEFA-s.