Nevoja për përforcime është e domosdoshme tek Vllaznia e pjesës së mbetur të sezonit por para se drejtuesit e klubit të bëjnë lëvizjet e duhura për të sjellë lojtarë në skuadër, ato duhet “t’i plotësojnë” një kërkesë trajnerit Gjoka. Kërkesa e tij në fakt është shumë domethënëse: Mbajtja në ekip e lojtarit kryesor të tij. Një gjë të tillë, numri 1 i pankinës shkodrane e ka bërë publike edhe në konferencën e sotme për shtyp kur i pyetur në lidhje me ndonjë largim të mundshëm të Orelesit nga skuadra në janar, është shprehur:
“Orelesit i mbaron kontrata? Unë nuk e di si i kanë klauzolat futbollistët, sepse nuk kam qenë në fillim të ndërtimit të ekipit. Unë merrem me anën teknike të Vllaznisë. Dua t’jua them hapur se për mua, Orelesi është një nga lojtarët kryesorë të Vllaznisë, që drejtoj. Duhet të bëjmë çdo gjë që është e mundur, që atë futbollist ta mbajmë patjetër”.
© shkodrasport.com