Oltijon Kërnaja po vijon me deklaratat e bujshme te Partizani. Trajneri i “demave” ka konfirmuar veten deri në fundin e sezonit, ndërsa zbulon se Realf Zhivanaj është vendosur si trajner i parë tek ekipi B.

Ky i fundit do të qëndrojë si ndihmës i tij po ashtu në ekipin e parë. Thumbimet nuk kanë munguar sa i përket Vllaznisë. Kërnajës i është kujtuar deklarata e Martinit ku me ironi shprehej se Partizani dhe Tirana janë rivalët e Vllaznisë për titullin.

“Nëse Edi Martini e ka thënë me vërtetë që Partizani është rival, do të ishte serioze. Nuk besoj që as profesor Edi, që unë i them profesor Edi, asnjë ekip, mund të bëjë ironi me emrin e Partizanit. Është një ekip i madh, mos harrojmë shumë trofe.

Vllaznia seriozisht po bën një sezon të mirë, por herën e fundit që ka dalë kampion ka qenë në vitet 2000 mesa mbaj mend unë dhe njëherë në kohën e luftës. Nuk mund të bëhet ironi me emrin e Partizanit, emrin e madh të ekipit të Partizanit.