Nga Maringlen ZHIVANI
KF Shiroka ka goditur sërish në merkato, duke prezantuar mesfushorin e njohur shkodran, Erjon Vucaj. Ky i fundit është një emër i spikatur në futbollin shqiptar, teksa ka një karrierë të pasur dhe është aktivizuar me ekipe të njohura në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi.
Vucaj në dy sezonet e fundit ka qenë pjesë e Luftëtarit të cilin e ndihmoi të ngjitet në kategorinë e parë të futbollit shqiptar, ndërsa tani do të ketë një mision të njëjtë për të ngjitur Shirokën në të dytën
Ky transferim pritet t’i japë një shtysë të re skuadrës në objektivat e saj për sezonin e ri. Vlerat e Vucajt si mesfushor njihen nga të gjithë dhe ai padyshim që do t’i vërë ato në dispozicion të Shirokës dhe në fakt pritshmëritë rreth tij janë të mëdha.
Presidenti Axhani kohët e fundit ka qenë shumë aktiv në merkato teksa fillimisht ka firmosur me ish-kapitenin e Besëlidhjes Klejdi Dibra, më pas me atë të Tërbunit Anderson Filipi, për të vijuar me mbrojtësin Samet Ruqi. Tashmë ishte rradha e firmës me Erjon Vucajn, por sigurisht që ai nuk do të jetë i fundit.
KF Shiroka nuk ia doli sezonin e kaluar të ngjitej në kategorinë e parë dhe si rrjedhojë drejtuesit e saj kanë nxjerrë mësime nga gabimet e bëra dhe gjëja e parë që kanë bërë ka qenë përzgjedhja e emrave që do të veshin fanellën e saj. (www.shkodrasport.com)
