Rinovimi i Diego Simeones me Atletiko Madrid ka mbyllur diskutimet rreth të ardhmes së teknikut argjentinas i cili i ka premtuar besnikëri klubit spanjoll ku ka qenë edhe futbollist. Me sa duket Diego SImeone kishte arsye përtej sportives për të bërë një rinovim dhe përmirësim të kontratës, pasi tani është tekniku më i paguar në botë.

Sipas mediave spanjolle, Simeone do të përfitojë nga kontrata e re 24 milionë euro në vit pas këtij përmirësimi të marrëveshjes ekzistuese, duke qenë i pari në listën e trajnerëve në botë sa i përket të ardhurave bruto në një sezon, përmirësim prej 2 milionë eurosh në krahasim me marrëveshjen ekzistuese.

Në fakt, Simeone nuk ishte më i paguari as et klubi i Atletikos, ku Grizman me rinovimin që bëri në verë, arriti shifrën 23,1 milionë euro bruto, shumë që u kalua me firmën e hedhur sot në marrëveshjen e re.

Deri pak muaj më parë, ai kalohej nga Zhoze Murinjo te Mançester Junajtid, pasi klubi anglez shpenzonte 25 milionë euro bruto në sezon për të, i ndjekur nga Marçelo Lipi i cili paguhej 23 milionë euro si trajneri i Kinës.

Asnjë prej tyre nuk është më në detyrë, duke i lëshuar fronin Simeones, i cili tashmë ndiqet nga Pep Guardiola. Spanjolli duhet të kënaqet me “vetëm” 20 milionë euro në vit. /vipsport/