Luciano Spalletti është alternativa e preferuar nga Federata Italiane e Futbollit për të zëvendësuar Roberto Mancinin që dha dorëheqjen e papritur nga posti i trajnerit të kombëtares.
Ish-tekniku i Napolit ka kontaktuar me drejtuesit e Federatës dhe bisedimet rezultuan tejet pozitive me të dyja palët që gjetën shpejt gjuhën e përbashkët.
Megjithatë, u duk sikur entuziazmi u ul disi pasi në skenë u shfaq një klauzolë që i duhet paguar Napolit nga Federata Italiane në rast të nënshkrimit me Spallettin.
Kjo sepse tekniku që riktheu Napolin te titulli, u largua nga klubi kur kishte mbetur edhe një vit kontratë e si rrjedhojë presidenti Aurelio De Laurentis kërkon një dëmshpërblim prej 3.2 milionë euro.
Gjithsesi, për Federatën, dëshira për të firmosur me Spallettin është më e madhe se klauzola dhe kjo shumë mund të paguhet pa problem. Aq më tepër kur në zyrat e Federatës, vëmendja është te kualifikueset e Euro 2024 aty ku Italia duhet të mbrojë titullin e fituar me Roberto Mancinin.