Tek Vllaznia e gjithë vëmendja është përqëndruar aktualisht tek merkatoja, pas emërimit të trajnerit të ri Migen Memelli. Natyrisht që, në opinionin sportiv shkodran dhe në grupet e tifozërisë së Vllaznisë janë përmendur edhe emra futbollistësh, prej të cilëve edhe shkodranë për të veshur fanellën kuqeblu.
Pikërisht, gjatë ditës së sotme, tifozë të ndryshëm të Vllaznisë kanë dhënë një mendim për qendërmbrojtësin e Besëlidhjes së Lezhës, Klejdi Dibra, të cilin do ta preferonin ta kishin në ekipin kuqeblu, por kuptohet që kjo është thjesht një dëshirë e tyre.
Kështu, tifozët e ndryshëm kuqeblu theksojnë se një mbrojtës shkodran si Klejdi Dibra nuk duhet lënë aspak mënjanë dhe duhet marrë në konsideratë emri i tij, në një kohë që ndoshta fanellën e Vllaznisë prej shumë vitesh, e kanë veshur edhe emra më me pak eksperiencë dhe futbollistë më të dobët se Dibra.
Megjithatë, për ta përforcuar një gjë të tillë, një mendim mjaft pozitiv për Klejdi Dibrën ka dhënë edhe ish-futbollisti i Vllaznisë, Saimir Patushi, sot trajner me ekipe të ndryshme. “Pata” thotë se Dibra me një këmbë luan më mirë se të gjithë mbrojtësit e huaj që kanë qenë në mbrojtje.
“Më mirë se gjithë ata të huajt që kanë qenë në mbrojtje luan me një këmbë, por mbase shkodranët nuk e kanë pasaportën e huaj”,-shkruan ish-futbollisti i njohur i Vllaznisë, Saimir Patushi.
Në fakt, për Klejdi Dibrën është thjesht një mendim i disa tifozëve, të cilët sigurisht që kanë thënë fjalën e tyre, duke gjetur mbështetjen edhe të një emri si Saimir Patushi. Megjithatë, ai që vendos është drejtori sportiv Elvis Plori, njeriu që po mendon për zgjidhjen më të mirë të mundshme në merkato për Vllazninë, në bashkëpunim edhe me trajnerin Migen Memelli.
Maringlen ZHIVANI