Kapitenia e Vllaznisë në volejboll, Klodeta Zhivani ka qenë mbrëmë e ftuar në Star Sport. Ajo ka folur për ecurinë që ka pasur ekipi në këtë sezon, duke theksuar uljet e ngritjet. Por sipas saj skuadra e ka plotësuar objektivin e saj në këtë sezon.

Pavarësisht se sot do ketë ndeshjen e rradhës gjysmëfinale kundër Partizanit, ku diferencat janë të mëdha, Zhivani premton se vajzat do japin maksimumin për një paraqitje pozitive.

Zhivani tha: “Sezoni po vjen drejt fundit e tashmë jemi në gjysmëfinale me Partizanin. Jemi mposhtur në ndeshjen e parë dhe nesër (sot) do kemi ndeshjen e rradhës kundër të kuqeve. Ato janë ndër ekipet më të mira në vend, me një strukturë që e kanë të fortë prej vitesh. Diferencat janë në parket, por ne do japim më të mirën për një paraqitje sa më dinjitoze.

Por mund të them se ne e kemi plotësuar totalisht objektivin tonë këtë edicion. Kundërshtari ynë direkt për vendin e katërt ishte Barleti Voley, të cilat arritëm ti mposhtim e të siguronim katërshen e parë këtë sezon.

Edicioni nisi me pretendime për titull, me lojtaret e huaja që erdhën, por gjithçka ndryshoi rrugës. Dhe besoj se nuk duhet ti shohim të huajat si shpëtimin e vetëm.

Kemi vajzat shkodrane, ku ne kemi skuadrën më të re në kampionat. Besoj se Vllaznia do furnizojë gjithë ekipet kombëtare, ku do shikoni kombëtaren u-21 që do ketë 3-4 vajza nga Vllaznia. Duhet të kemi projekte afatgjata për zhvillimin e sporteve me dorë sepse ndryshe nuk arrihen suksese në të ardhmen”.
Endri ÇINARI