Liverpuli më në fund mbrëmjen e djeshme u kujtua të humbë, duke iu dorëzuar një ndeshje perfekte të Uotford, që fitoi pastër me rezultatin 3-0 edhe pse e nisi ndeshjen me një dëmtim të Delofeut, që është një nga sulmuesit kryesorë të skuadrës.
Mbrëmë u pa një Liverpul, që nuk funksionoi, por Klop nuk u duk shumë i shqetësuar pas ndeshjes. Ai përgëzoi skuadrën e Uotford për fitoren dhe në fund preku pak edhe rekordin e Arsenalit në 2004, që Liverpul kishte mundësi ta thyente.
“Është e rëndësishme të uroj Uotford për fitoren, e merituan. Pjesën e parë kishte gjëra që nuk shkojnë në një ndeshje futbolli. Në përgjithësi nuk krijuam sa duhet dhe kjo normalisht të bën të humbësh. Është vetëm një ndeshje futbolli dhe duhet ta pranojmë se Uotford ishte skuadra më e mirë në fushën e lojës.
Rekordet nuk thyhen sepse ti ke dëshirë t’i thyesh ato. Ata thyhen vetëm nëse jeni plotësisht të përqendruar në çdo hap që hedh. Ishte e qartë që do të humbnim edhe ne një ditë. Nuk po prisnim për humbjen, por ishte e qartë që do të ndodhte.
Ndodhi me Uotford dhe e shoh me pozitivitet, për shkak se nga tani do të mund të luajmë sërish futboll lirshëm. Nuk kemi pse mundohemi të mbrojmë apo të tentojmë të kapim një rekord. Duhet vetëm të përpiqemi të fitojmë ndeshje sërish”, u shpreh Klop. /vipsport/