Në ambientin futbolldashës të Shqipërisë, nuk mund të mos vihet re gjendja pozitive që po kalon ekipi i Vllaznisë. Shkodranët kanë bërë një sezon jashtë pritshmërive, duke befasuar për mirë tifozët e tyre.
Në kryeqendrën e veriut entuziazmi është rritur duke shtuar edhe tifozët në stadium. Rezultate pozitive të javëve të fundit, kanë bërë që të krijohet edhe një grup i ri “ultrasish”.
Një meritë kryesore për këtë ecuri e ka padyshim edhe Mirsad Jonuz. Trajneri nga Maqedonia e Veriut ka bërë bashkë një grup me lojtarë të rinj, duke ndërthurrur eksperiencën e Likës, Shtubinës apo Ramadanit. Jonuz erdhi në Shkodër pa shumë bujë, kokëulur dhe i gatshëm me projektin e tij në mendje.
Vllaznia ka fanellë të rëndë dhe këtë Jonuz e dinte që në krye të herës. Sezoni i kaluar një kategori më poshtë, nuk e stepën kurrsesi 57 vjeçarin e stolit që solli entuziazëm në grup me karizmën e tij.
Në Shkodër është Bashkia ajo që e ka klubin mbi supe dhe në një moment kur shumica e klubeve të Superiores janë thuajse me administrim privat, sfida për drejtuesit është e madhe. Jonuz nuk e ka të lehtë në Shkodër. Problemet me pagat, nuk kanë reflektuar në fushë. Jonuz ka ditur t’i ndajë gjërat.
Ai e fut ekipin në fushë me një moral të lartë, të barabartë me kundërshtarin. Vllaznia është një ekip i fortë në mbrojtje dhe këtë e thonë statistikat. Në shtatë javë, janë vetëm tre gola të pësuar. Sulmi është pika ku duhet ndërhyrje. Në mungesë të një “numri 9” në sulm, trajneri ka ditur të çojë ekipin drejt golit.
Vllaznia numëron 12 pikë pas shtatë javëve dhe bashkëndan vendin e parë. Në këtë sukses padyshim ka merita Mirsad Jonuz, që bashkë me Dovedan (Bylis); janë trajnerët që kanë bërë surprizën deri tani./newsport/