Ka ngritur pikëpyetje të mëdha sjellja e Kristiano Ronaldos në momentin e zëvendësimit nga trajneri Mauricio Sarri në ndeshjen e mbrëmshme të Juventus ndaj Milanit. Portugezi u shfaq i irrituar dhe nuk e priti mirë ndërrimin, duke iu drejtuar direkt dhomave të zhveshjes.
Ndërsa, është larguar nga stadiumi para se të përfundonte takimi. Kështu, polemikat kanë shpërthyer. Dhe për të sqaruar situatën ka menduar klubi i Peskarës.
Ekipi ku aktivizohen edhe dy shqiptarët Ledian Memushaj dhe Elhan Kastrati, në formë shakaje kanë postuar në Twitter-in e tyre zyrtar, arsyen pse Ronaldo u largua nga fusha dhe iu drejtua dhomave të zhveshjes.
Sipas ekipit të Serisë B, Ronaldo thjesht kishte ngatërruar fanellën, teksa kishte veshur atë të Juventusit në vend të asaj të Peskarës. Një lojë nga klubi i Peskarës, e cila është bërë virale në rrjet.
Klubi i Peskarës u bë protagonist edhe disa ditë më parë, kur nëpërmjet një njoftimi tregonte se kishte arritur marrëveshjen me Ibrahimoviç, duke fituar luftën me të gjithë klubet e tjera që duan të transferojnë suedezin. /vipSport/